Tiranë, përfundon rikonstruksioni i kopshteve; Veliaj: Tani shkollat

19/09/2016 00:00

Pas përfundimit të rikonstruksionit të kopshteve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se do të vijojë puna për rikonstruksionin e shkollave.

Veliaj inauguroi kopshtin numër 27/a në lagjen Allias, ku deklaroi se tanimë kanë mbetur vetëm dy kopshte, të cilat janë në përfundim e sipër me projektin “Adopto një kopësht”.

“Ka qenë një projekt fantastik, i ka dhënë shumë energji Tiranës. Sigurisht, si e keqja, edhe e mira nuk ka fund, ndaj mezi pres që pas kopshteve ne të fillojmë me shkollat e kësaj njësie dhe më pas me ato të njësive të tjera. Për t’u siguruar që ne respektojmë prioritetin sipas moshës, filluam me çerdhet, me kopshtet dhe pastaj me shkollat. Besoj që mund të themi se jemi krenarë, sepse në qytetin e Tiranës kemi kopshtet më të mira në republikë, ndoshta dhe në rajon”, tha Veliaj.

Kryetari Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për trafikun e krijuar për shkak të punimeve që po bëhen në shehsin “Skëndërbej”.

“Sigurisht kur ka punë, qoftë për të rregulluar një kopësht, qoftë për të rregulluar gjithë sheshin “Skënderbej”, sigurisht që përsa kohë punohet krijohet një lloj rrëmuje që duhet të përshtatemi me një ritëm tjetër. Kështu që siç i falenderoj qytetarët e kësaj njësie që teksa ne punonim për këtë kopsht gjatë verës, u treguan shumë mirëkuptues, na lanë të punonim dhe sot ja ku është rezultati. Kjo është e njëjta fabul siç po ndodh me sheshin “Skënderbej”. Do të vazhdojmë të punojmë, sigurisht do të ketë pak rrëmujë”, tha Veliaj.

Top Channel