Kapen 28 kg kanabis në Qafë Thanë, korrierët i shpëtojnë policisë

19/09/2016 00:00

Një sasi droge është kapur në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës. Mbi 28 kg kanabis u gjet në kufirin e gjelbër.

Sipas të dhënave, dy persona janë konstatuar në afërsi të pyllit, i cili ndodhet në krahun e djathtë të pikës kufitare gjatë kontrollit rutinë të vijës së gjelbër.

Mësohet se në momentin që janë zbuluar se ishin duke u përpjekur të kalonin ilegalisht kufirin, policia iu ka bërë thirrje këtyre të fundit për të ndaluar, por duke përfituar nga errësira, këta shtetas janë larguar me shpejtësi në brendësi të pyllit.

Ndërkohë, gjatë ndjekjes dhe kontrollit të zonës, punonjësit e policisë kufitare kanë gjetur tre thasë me ngjyrë të bardhë, brenda të cilëve u gjetën 25 pako të mbështjella me ngjitëse, me një peshë prej 28 kg e 725 gramë, lëndë kjo e dyshuar si narkotike e llojit kanabis sativa.

Lënda e gjetur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Top Channel