Arsenali ka gati 100 milionë euro për Griezmann

19/09/2016 00:00

Lufta e merkatos për Antoine Griezmann është bërë shumë e ashpër, pasi është rritur numri i skuadrave që kërkojnë shërbimin e sulmuesit të Atletico Madrid. Paris Saint Germain, Chelsea dhe Manchester United janë klubet që e kanë shfaqur interesin për francezin, skuadra të cilave tashmë iu është bashkuar edhe Arsenali.

Sipas asaj që publikohet te tabloidi britanik “Daily Star”, “Topçinjtë” e Londrës kanë shfaqur gatishmërinë të paguajnë klauzolën e zgjidhjes së kontratës së futbollistit me “Los Colchoneros”, që kap shifrën e 100 milionë eurove.

Deri në këtë moment, Griezmann duket se nuk është tunduar aspak nga ofertat për të. Në disa raste sulmuesi i përfaqësueses franceze i ka premtuar besnikëri trajnerit të Atletico Madrid, Diego Pablo Simeone. Ndërkaq, nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit e klubit madrilen të nisin bisedimet me të për rinovimin e kontratës, që mund të shoqërohet edhe me një rritje të pagës e sidomos të klauzolës së zgjidhjes së saj.

Top Channel