Basha: Lidhjet e Ramës me krimin përdhosin të rënët

19/09/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar si një farsë përurimin e Murit të Kujtesës në Ministrinë e Brendshme nga kryeministri Rama.

Në reagimin e tij, Basha ka deklaruar se, të rënët në detyrë respektohen duke luftuar krimin, trafikantët dhe drogën.

“Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve nëpërkëmben e përdhosen çdo ditë nga një ministër i lidhur me bandat e trafikut të drogës në vend, nga një ministër që makinën e tij private e kthen në narkotaksi për Habilajt, nga një ministër që mbajti Shullazin mbi ligjin për 3 vjet derisa ndërhynë partnerët, nga një ministër që prish hetimet për trafikantët duke djegur provat në laborator e duke zbuluar hetimet në media për llogari të krimit”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, të njëjtën nëpërkëmbje i bën policisë edhe kryeministri, i cili “futi në Parlament trafikantë e tutorë prostitutash, vrasës e njerëz me precedentë penalë”.

“Nga një kryeministër që fshehu urdhërin e ekstradimit për vrasësin e komisar Dritan Lamajt, që i ofroi atij arratinë, shpëtimin nga drejtësia. Nga një kryeministër që mban Eskobarin e Ballkanit, që pasi e ka bërë drejtor të transportit e mbron edhe nga aksioni ndërkombëtar për kapjen e tij. Një kryeministër që ka krijuar kartelin më të rrezikshëm të drogës në Europë, që ndërton edhe pista avionësh për narkotrafikun”, ka vijuar Basha.

Duke e akuzuar kryeministrin se, “krimin e ka veshur me pushtet dhe pushtetin me krim”, kreu i opozitës ka theksuar se, “nderi, dinjiteti i policisë dhe respekti i të rënëve në krye të detyrës është sot në duart e shqiptarëve”.

“Shqiptarët kanë në dorë të kthejnë rendin, sigurinë, respektin ndaj policisë, duke hequr krimin nga pushteti. Duke larguar me çdo kusht kartelin e drogës. Policia më mirë pa Edi Ramën. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Basha.

Top Channel