Kisha ortodokse serbe, UP kërkon që t’i rikthehet prona

19/09/2016 00:00

Pas tensioneve të krijuara kohët e fundit rreth kishës së papërfunduar ortodokse në territorin e Universitetit “Hasan Prishtina”, ka reaguar edhe vet Universiteti i Prishtinës.

Përmes një komunikate, UP-ja ka shprehur shqetësimin për ngjarjet e fundit rreth kësaj kishe. Të shtunën, një grup studentësh u mblodhën tek objekti i papërfunduar fetar, për të cilin thanë se është okupues i hapësirës universitare.

Gjatë këtij aktiviteti, ata u penguan nga policia që t’i afroheshin kishës. Por në fund arritën të vendosnin një pankartë, e cila u hoq pak minuta më vonë.

Në komunikatë, Universiteti “Hasan Prishtina” bën të ditur se procesi i ndërtimit të kësaj kishe ka uzurpuar pronën e universitetit përmes rrugëve juridike të pushtetit të dikurshëm që promovonte dhunën.

“Është botërisht i ditur procesi i ndërtimit të këtij objekti në pronën tonë, sikundër edhe baza juridike e këtij ndërtimi, e ofruar nga një pushtet që për dekada promovoi dhe ushtroi dhunën dhe terrorin. Sidoqoftë, ne shpresojmë që institucionet tona, përmes rrugëve politike dhe juridike do të qartësojnë situatën, duke na kthyer mbrapsht pronën, në mënyrë që së bashku me studentët të vazhdojmë rrugën e avancimit akademik, të lirë dhe të njëjtë për të gjithë”, thuhet në komunikatën e UP-së.

Po ashtu, në këtë komunikatë thuhet se UP-ja nuk ka për synim ndërhyrjen në liritë fetare e as mosrespektimin e komuniteteve.

“Ky qëndrim, në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si ndërhyrje në kontekstin e lirive fetare dhe respektit të komuniteteve në Kosovë, të cilat duhet të mbrohen dhe respektohen”, thuhet aty.

Pak ditë më parë, drejtori i Urbanistikës në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu ka paralajmëruar se kisha ortodokse serbe “Shën Nikolla”, që gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës duhet t’i nënshtrohet procesit të legalizimit, që të mos rrënohet.

Në një konferencë për media, ai tha se deri më tani askush nuk ka aplikuar për legalizim. “Në bazë të dokumentacioneve tona, ajo pjesë është pa leje dhe nëse nuk aplikon askush për legalizim deri në qershor, rrjedhimisht nuk do të trajtohet në periudhën për legalizim, do të hyjë në listën e rrënimit”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, pas protestës së studentëve para objektit të kishës në Prishtinë, ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi. “Është e papranueshme dhe e turpshme protesta para objektit të Kishës Ortodokse Serbe në Prishtinë. Është gjithashtu e dënueshme dhuna që është manifestuar aty. Pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar cilido objekt, ne nuk guxojmë të lejojmë që të cënohen këto objekte, veçanërisht kur ato i përkasin komuniteteve fetare. Çdo objekt fetar në Kosovë është dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar, që vazhdojmë t’i kultivojmë dhe me të cilët mburremi të gjithë. Çdo pretendim duhet të zgjidhet në mënyrë ligjore, me dialog ndërmjet palëve, e jo me veprime të njëanshme që nxisin urrejtje dhe dhunë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Top Channel