Vëllai duhet në ditë të vështira

19/09/2016 00:00

Johnny dhe Alistair Brownlee janë vëllëzër në jetë, por edhe në sport dhe këtë ata e shfaqën edhe gjatë Botërorit të Triatlonit që u zhvillua në Meksikë. Në metrat e fundit të garës, Johny Brownlee, i cili ishte në kryesim, u ndje keq për shkak të motit të nxehtë, duke i humbur energjitë për të përfunduar garën.

Një prej organizatorëve u përpoq ta largonte britanikun, por në atë moment në ndihmë i erdhi i vëllai Alistair, edhe ky pjesëmarrës në garë. Të dy sportistët vrapuan të përqafuar deri në kalimin e vijës së finishit, kur Johny Brownlee u shemb në tokë, ndërkohë që gara u fitua nga afrikano-jugori Schoeman.

“Nëse Johnny do të ishte rrëzuar përpara vijës së finishit dhe nëse në atë moment nuk do të ndodhej ndonjë mjek për ta ndihmuar, ai do të ishte në rrezik për jetën”, deklaroi pas përfundimit të garës Alistair Brownlee.

Ajo çfarë i ndodhi në Meksikë i kushtoi titullin botëror Johny Brownlee kundrejt spanjollit Mola, i cili u rendit në vendin e pestë. Vetëm fitorja e garës ia garantonte këtë sukses atletit britanik.

Top Channel