“Varreza” e klandestinëve. Protestë e rrallë para godinës së Parlamentit në Londër

19/09/2016 00:00

Plot 2.500 jelekë shpëtimi kanë mbushur njërin prej shesheve qendrore të Londrës. Ideja e shndërrimit të zonës përpara “Big Ben”-it dhe dhomave të Parlamentit në një “varrezë” të këtyre jelekëve ishte e aktivistëve, që kërkuan të tërheqin vëmendjen te tragjedia e emigrantëve.

Veshjet u takonin refugjatëve që kanë ndërmarrë rrugëtimin e vështirë përmes detit, mes Turqisë dhe Greqisë.

Kriza e refugjatëve shpërtheu me konfliktin e Sirisë dhe sot, numrin global të azilkërkuesve ajo e ka shtyrë në rekorde të reja. Për shkak të luftës civile siriane, i gjithë fluksi botëror i refugjatëve është rritur.

Organizata 35 anëtarëshe për Sigurinë dhe Zhvillimin Ekonomik, OECD, shkruante në raportin e saj vjetor mbi emigracionin se në vitin 2015, numri i azilkërkuesve është dyfishuar, duke mbërritur në 1.65 milionë.

Gati një e katërta e tyre vinin nga Siria dhe 16% ishin nga Afganistani. Tre të katërtat e kërkesave të azilit janë bërë në vende të Bashkimit Europian, ku pjesën e  luanit – sipas OECD-së që citon të dhënat e agjencisë së OKB-së për refugjatët, – e ka Gjermania.

Top Channel