Meta, takim me strukturat e LSI: Të nisë debati i brendshëm

19/09/2016 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në qytetin e Pogradecit, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme që do të zhvillohet më datë 6 nëntor.

Pjesë e këtij takimi ishte ministrja për Integrimin Europian, Klajda Gjosha; ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti; nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari; si dhe deputeti i LSI-së për qarkun e Korçës, Piro Kapurani.

Në fjalën e tij përpara anëtarësisë, Meta u shpreh se të gjitha strukturat duhet të përfshihen në një debat të brendshëm konstruktiv deri në zhvillimin e zgjedhjeve për postin e kryetarit.

“Unë besoj se ne, gjatë gjithë kësaj periudhe 2-3-mujore deri në Konventën Zgjedhore, duhet ta shndërrojmë LSI-në në një arenë debati të brendshëm, për të përmirësuar më shumë vetëveten, drejtimin e LSI, përfaqësimin dhe politikat e saj, por mbi të gjitha për të forcuar më tej lidhjen me qytetarët dhe komunitetet kudo që jetojnë”, u shpreh Meta.

Ai theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë e përkushtuar si askush tjetër për stabilitetin e vendit dhe realizimin e reformave për proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Top Channel