Politikë dhe kanabis, Rama mbron policinë: Mos i hidhini baltë

19/09/2016 00:00

Në kulmin e debatit politik për kultivimin e kanabisit në vend dhe akuzave të vazhdueshme të opozitës në drejtim të policisë, kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjej duke cituar një thënie të shkrimtarit të famshem çek Milan Kundera.

Në ceremoninë e inaugurimit të godinës së restauruar të Ministrisë së Brendshme, kreu i qeverisë foli për sjellje armiqësore ndaj uniformave blu.

“Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia që lind nga mungesa e vëmendjes për të dëgjuar. I bëj thirrje PD se ka ende kohë për të hequr dorë nga kjo marrëzi, kjo pabesi, kjo poshtërsi dhe kjo armiqësi e shpallur me Policinë e Shtetit”, deklaroi Rama.

Por sipas ministrit Tahiri, punonjësit e policisë nuk duhet të dekurajohen nga sulmet politike. “Unë kam një mesazh për të 11 mijë punonjësit e policisë, mos u mërzisni. Vazhdoni dhe fitoni çdo betejë në çdo rrugë e në çdo cep të Shqipërisë. Kjo përbaltje e përditshme është vetëm politikë”, tha Tahiri.

Në memorialin e ngritur për 264 punonjësit e policisë të rënë në krye të detyrës u vendos dhe ylli i fundit në nder të efektivit Ardian Kodra, që humbi jetën në fillim të muajit në një operacion policor.

“Ky mur kujtese që përurojmë sot bashkë me godinën është simbol i vullnetit të hekurt për të mos harruar dëshmorët. Janë 264 yje të vendosur në këtë mur për të formuar mitin e uniformës blu”, ka deklaruar Rama.

Top Channel