Legia shkarkon Besnik Hasin

18/09/2016 00:00

Vetëm tre muaj. Kaq zgjati aventura e Besnik Hasit te Legia Warsawë. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, klubi polak njoftoi largimin nga detyra të teknikut shqiptar. Vendimi u argumentua me rezultatet e dobëta të skuadrës me 44-vjeçarin në krye të stoli.

Vendimi i drejtuesve të 11 herë kampionëve të Polonisë erdhi pas humbjes 3-2 që skuadra pësoi në shtëpi përballë Zaglebie Lubin. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Legia Warsaw dhe e katërta në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit.

Pavarësisht suksesit në startin e sezonit, ku arriti ta udhëhiqte skuadrën në fazën e grupeve të Champions League pas 20 vjetëve mungesë, marrëdhënia me trajnerin u ndërpre prej ecurisë së dobët në kampionat.

Vetëm 2 fitore në 9 javë të Ekstraklasa-s, me ekipin që renditet në vendin e 14-të nga 16 skuadra që garojnë në elitën e futbollit polak. Një ecuri e cilësuar e papranueshme për kampionët në fuqi. Sipas klubit polak, skuadra do ti besohet përkohësisht zv.trajnerit Aleksandar Vukoviç.

Për Besnik Hasin ky është shkarkimi i dytë në karrierën si trajner. Më 26 Maj 2016, ai u largua nga drejtimi i Anderlecht-it pasi humbi garën për titullin kampion në Belgjikë me rivalët e Club Brugge.

Top Channel