Interi përmbys dhe fiton ndaj Juventus

18/09/2016 00:00

Inter ka arritur të fitoj 2-1 derbin e Italisë ndaj Juventusit, në takimit e javës së katërt të Serie A, duke përmbysur rezultatin brenda 12 minuta pasi u gjendën në dizavantazh.

Edhe pse u luajt vetëm në javën e katërt të Serisë A, dueli më spektakolar në Itali, kishte mjaft rëndësi. Te Interi trajneri De Boer rrezikonte postin vetëm pas pak javësh, prej disfatës në Europa League nga Hapoel Beer Sheva, ndërsa Juventusi synonte të rikthehej në krye të kampionatit

Luhej minuta e 66-të, kur Alex Sandro depërtoi mirë nga e majta për ta dërguar topin në zonë, ku më së miri u gjend Stephan Lichsteiner, i cili shënoi nga afërsia.

Udhëzimi i De Bour që kërkoi nga Interi të godiste portën, u zbatua menjëherë nga Icardi, që i prishi festën bardhezinjve vetëm pas dy minutave. Sulmuesi kërceu më lart se të gjithë nga goditja e këndit e Banega-s, duke mposhtur Buffon dhe rihapi sfidën. Kapiteni zikaltër pretendoi edhe 11-metërsh pas kontaktit në zonë me Chiellini-n, por megjithë protestën e publikut, gjyqtari Tagliavento vazhdoi lojën.

Avantazhi i merituar i Interit erdhi në minutën e 78-të, me Ivan Perisic. I aktivizuar vetëm prej nëntë minutave, kaloi të tijtë në avantazh pas asistit të Icardit, që shfrytëzoi pasigurinë e mbrojtjes juventine. Perisic ishte pranë golit të tretë, duke vënë seriozisht në vështirësi Buffon. Pas disavantazhit Juventusi provoi të reagonte me Gonzalo Higuain, që e nisi duelin nga stoli, me devijimin me kokë të argjentinasit që përfundoi pak centimetra jashtë.  Pas tij tentoi edhe Miralem Pjanic nga goditje standarde, pa gjetur portën.

Top Channel