Zgjedhjet ruse, “shqiptarët” zgjedhin njëlloj si në Moskë

18/09/2016 00:00

Për fatin e Kremlinit është votuar edhe në Tiranë nga shtetas rusë që jetojnë në Shqipëri, por edhe shqiptarë që gëzojnë shtetin e dyfishtë, trashëgim që nga koha e miqësisë së madhe shqiptaro-sovjetike.

Edhe se vota është e fshehtë, rusët që jetojnë e punojnë në Shqipëri, nga qytetari më i thjeshtë deri tek ambasadori i Rusisë, e kanë për krenari ta deklarojnë se votojnë për presidentin Putin.

“Mendoj që do fitojë “Rusia e Bashkuar”, partia që është në pushtet. Do ketë akoma më shumë përmirësime sepse është e vetmja parti që bën të mira për vendin e saj e unë votova për të. Sa për Putin, do të ishte mirë që cdo shtet të kishte nga një Putin”, shprehet një qytetar rus në Tiranë.

Sinc “Pajtohem totalisht me qytetarët. Mbështetja popullore për presidentin Putin është vërtetë shumë e lartë, është mbi 80 % dhe ky nivel pasqyron qartë cilësinë e punës së tij si president i Rusisë dhe efikasitetin e politikës së tij si kreu i shtetit rus. Ndaj mendoj se është normale që gëzon mbështetje edhe këtu. Putin gëzon respekt edhe në arenën ndërkombëtare sepse ai ndjek politikën e pavarur dhe u bën thirrje të gjitha shteteve ta bëjnë këtë”, shprehet  Aleksandër Karpushin, ambasador i Rusisë në Shqipëri.

Në ambasadën ruse në Tiranë votojnë edhe qytetarë rusë që gjenden për turizëm në Shqipëri.

“Në jemi turistë rusë nga Moska, kemi qenë në Durrës, Krujë, sot pamë Tiranën, është një qytet shumë i bukur”, shprehet një prej tyre.

Por më të shumtë janë qytetarët me dy shtetësi, shqiptare dhe ruse. Në kohën e miqësisë së madhe shqiptaro-sovjetike, shumë të rinj krijuan familje, shumica për t’u prishur kur mes Moskës dhe Tiranës ngrinë akujt e politikës. Por pati edhe nga ata që rezistuan apo u ribashkuan pas rënies së komunizmit.
“Babai është shqiptar, mamaja ruse, kryesisht kështu ka qenë, kanë qenë nënat tona që kanë ardhur këtu, ka edhe baballarë, por janë më pak”, shprehet Suzana Karagjozi, anëtare e Shoqatës Bashkatdhetarëve Rusë.

“Siç kam dashuri për atdheun kam dashuri edhe për mëmëdheun, dhe dua të kontribuoj që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë të mira”, thekson Diana Papajani, anëtare e Shoqatës Bashkatdhetarëve Rusë.

Në Shqipëri jetojnë gjithsej 400 qytetarë rusë prej të cilëve 300 janë të regjistruar si votues. Ata janë të vendosur në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Durrës.

Top Channel