Krenaria shqiptare e Rios, sportistja paraolimpike merr medaljen e argjendtë

18/09/2016 00:00

Nëse paraqitja e ekipit shqiptar sportiv në Olimpiadën e Rios la për të dëshiruar dhe ishte larg premtimeve e pritshmërive, janë shqiptarët që kanë gjetur hapësirat e vendeve të tjera të përfaqësimit, ata që më së paku na gëzojnë, e më së shumti japin sinjale se mjafton vullneti e dëshira për të bërë diçka të mirë.

I tillë është rasti i Arjola Trimit, notares paraolimpike shqiptare e cila garon nën ngjyrat e Italisë. Prej mëse një jave Lojërat Paraolimpike në Rio kanë patur një jehonë rezultatesh përtej pritshmërive në të gjitha sportet, një gjë të tillë ka bërë edhe Arjola e cila në finalen e 50 metra stil i lirë ka ndalur kronometrin në kohën 40.51 sekonda duke fituar medaljen e argjendtë, pas australianes Uatson dhe duke lënë prapa meksikanen Miranda Herrera.

Atletja me origjinë nga Tirana edhe më parë kishte arritur disa finale të rëndësishme, duke përfshirë këtu medaljen e artë në botërorin e Glasgout të zhvilluar vitin e shkuar.

Top Channel