Qeveria, 14 milionë lekë për projekte që rrisin punësimin

18/09/2016 00:00

Qeveria shqiptare po mbështet sipërmarrjet e reja në disa sektorë si ato të prodhimit dhe shërbimit, industrisë së lehtë, turizmit apo agro-përpunimit, përmes një fondi prej rreth 14 milionë lekësh.

Një ndërmarrje mund të përfitojë maksimalisht 300 mijë lekë për projekt në dy pjesë, 50 % në fillim të projektit dhe 50 % në përfundim të tij. Ministrja Ekonomi thotë se përmes këtij fondi synohet rritja e numrit të të punësuarve në këto biznese.

“Biznesi sot ka më shumë mundësi për të ofruar vende pune.  Nga kjo kompani do të doja të ftoja të gjitha vajzat dhe zonjat e kësaj zone që mund të vinë e të shikojnë mundësinë e punësimit në këtë biznes”, shprehet ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Nga viti 2015 kur skema iu vendos në dispozicion bizneseve të sapo krijuara, janë 48 aplikime, prej të cilave 23 kanë përfituar mbështetje ndërsa 19 aplikime janë në proces shqyrtimi. Fondi nuk mund të jepet më shumë se një herë për një sipërmarrje.

Top Channel