Festa më e madhe e birrës në botë, “Oktoberfest” nisi të shtunën mes masave të rrepta të sigurisë. Kryebashkiaku i Mynihut, Dieter Reiter, i vendosi rubinetin fuçisë së parë të birrës duke e shpallur zyrtarisht të hapur festivalin e famshëm.

Edhe pse siguria do të jetë kryefjalë e festivalit të këtij viti, autoritetet e qytetit e bënë të qartë se nuk do të lejojnë cenimin e atmosferës së “Oktoberfest”. Megjithatë ekziston frika se këtë vit do të ketë më pak vizitorë, ndërsa raportohen më pak rezervime hotelesh e tavolinash.

Frika për sulme është reale dhe kjo lexohet qartë tek masat e shtuara të sigurisë. Ccantat e mëdha të shpinës janë të ndaluara, vizitorët do të duhet të skanohen për armë dhe eksplozivë në një barrierë sigurie, para se të hyjnë në ambientin gjigand të kthyer në një shesh festiv ku njerëzit mund të shijojnë birrën dhe ushqimet sipas stilit bavarez.

“Oktoberfest” është vënë në shënjestër të sulmeve e kërcënimeve edhe në të kaluarën. Në vitin 1980 një grup i djathtë radikal shpërtheu një bombë duke vrarë 13 persona. Gjithashtu në vitin 2009 kërcënimet nga militantët islamikë detyruan organizatorët të merrnin masa shtesë edhe pse nuk pati incidente.

Mynihu ka angazhuar gjithashtu 450 roje sigurie të veshur si civilë, gati dyfishin e vitit të kaluar me një kosto prej 3.6 milionë eurosh sipas mediave lokale. Festivali i birrës vazhdon deri më 3 tetor.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel