Rama në Veri, Basha: S’është për hallet e njerëzve, por për shfaqje

18/09/2016 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas vizitave të kryeministrit Edi Rama në disa prej bashkive veriore të vendit. Sipas tij, tani që ditët e mandatit po i sosin, shefi i qeverisë u nis për Vermosh, Tamarë, Malësi të Madhe, Vaun e Dejës, Pukë etj.

“Nuk është aty për të dëgjuar, është për shfaqje. Nuk është aty për qytetarët, njerëzit me halle, se zgjedhja e tij janë trafikantët, banditët. Me ta është rreshtuar që kur erdhi në pushtet, me ta po e mbyll mandatin. Nuk është aty për bilanc. Asnjë investim publik, asnjë metër rrugë, asnjë shkollë e re, asnjë vend pune në 3 vjet. Asnjë bilanc nuk tregon para qytetarëve të cilët ia plasën në fytyrë këtë realitet të dhimbshëm”, deklaroi Basha.
 
Sipas Bashës, kush ngre zërin për faturat e kripura, për varfërinë, për papunësinë, për arsimin apo shëndetësinë, i ndërpritet fjala duke iu thënë: “pusho se jemi ne televizion”.
 
“Harbuteria e tij nuk ka kufi. U thotë të papunëve, të skamurve, ‘merrni kredi’. Po për çfarë, që të blejnë fare kanabisi, të mbjellin drogë, të bëhen bujqit e kooperativës së tij të madhe narkotike”, vijoi Basha, që shtoi se Rama “ka shkuar për të vetmen gjë që ka bërë, kultivimin e kanabisit, kthimin e kodrave, arave dhe maleve të Shqipërisë në hambar hashashi”.

“Bujtës i Mark dhe Arben Frrokut u shfaq dhe sot, duke sfiduar hapur çdo punonjës policie që përballet me krimin dhe qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Asnjë kumbar nuk e ka nënshtruar dot një shoqëri të tërë. Dhe shqiptarët nuk do ta lejojnë, por do bashkohen nën thirrjen për ta shpëtuar vendin nga karteli i drogës. Ne kemi zgjedhur qytetarët, punën e ndershme, sigurinë dhe të ardhmen pa kanabis. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, përfundoi deklaratën e tij Basha.

Top Channel