Spanjë, një e vdekur dhe 15 të plagosur nga shpërthimi në një apartament

18/09/2016 00:00

Një person dyshohet të ketë vdekur dhe rreth 15 të tjerë të jenë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në një bllok apartamentesh në Barcelonë të Spanjës.

Shpërthimi i fuqishëm erdhi nga kati i dytë i një pallati në Premia de Mar, një resort turistik bregdetar, që ngrihet në verilindje të kryeqytetit të Katalunjës.

Një zëdhënës i emergjencave civile deklaroi për mediet vendase se “shpërthimi ndodhi rreth orës 8:25 të mëngjesit dhe preku 15 persona gjithsej, nga të cilët 14 janë të plagosur, ndërsa njëri nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra”. Ndërsa raportime të tjera flasin për 15 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

Mediet vendase thonë se personi që ndërroi jetë dyshohet të jetë një grua rreth të 50-ave, e cila jetonte në katin e dytë të atij pallati.

Pas shpërthimit të fuqishëm, të gjithë banorët në bllokun e prekur, por edhe në ndërtesat fqinje me të janë evakuuar nga policia dhe shërbimet e emergjencave. Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit, por thuhet se teknikë të gazit kanë shkuar në vendngjarje për të hetuar një shpërthim të mundshëm gazi.

Top Channel