Merkel ndryshon sloganin zgjedhor: Dua t’i frymëzoj njerëzit e jo t’i irritoj

18/09/2016 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka hequr dorë nga slogani i saj i fushatës “Ne mundemi t’ia dalim”. Kjo është motoja që ka ndjekur rrugëtimin politik të kancelares, që mesa duket është tronditur nga hapja e dyerve për refugjatët.

Ajo tani duket e penduar, pavarësisht se nuk e ka pranuar tërheqjen nga pranimi i 1.1 milionë azilantëve.

“Është bërë një slogan i thjeshtë, një formulë pothuajse e pakuptimtë”, tha Merkel në një intervistë për një gazetë gjermane. “Qëllimi im – tha kancelarja, – nuk është të provokoj njerëzit, por t’i frymëzoj dhe aspak t’i irritoj ata”.

Politika e saj e dyerve të hapura është kritikuar intensivisht, madje edhe nga anëtarë të partisë së saj konservatore, të cilët thonë se Bashkimi Kristian-Demokratik (CDU) ka humbur votuesit për shkak të vendosmërisë së Merkelit mbi migracionin.

Kritikat nuk i kanë kursyer edhe ata jashtë politikës gjermane. Në samitin e Bratislavës, Merkel mori “shuplaka” të forta edhe nga udhëheqësit europianë. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk fajësoi Angela Merkel për kaosin që po përjeton Europa dhe frikën nga kërcënimi terrorist.

Krerët e Bashkimit Europian thanë se skenari i kaosit nuk duhet rikthyer më në kontinentin e vjetër.

Top Channel