Përmbytet edhe Bulqiza. Ndërtimi i pedonales ka bllokuar kanalizimet

18/09/2016 00:00

Moti i keq me shi të dendur dhe stuhi të forta ere, gjatë natës së kaluar ka shkaktuar përmbytje në qytetin e Bulqizës. Të paktën 10 biznese, si pasojë e vërshimit të ujit brenda ambienteve të tyre, kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Tregtarët shprehen se është hera e tretë që po përmbyten për këtë vit, një situatë që vjen si rezultat i ndërtimit të pedonales së këtij qyteti, e cila, sipas tyre, u ndërtua vitin e kaluar jashtë të gjitha parametrave të duhur. Ata pohojnë se janë ankuar në bashkinë e qytetit mbi këtë problem pa marrë kurrë zgjidhje ndaj tani i drejtohen shtetit që të marrë masa të menjëhershme.

“Shumë dëmtime ka shkaktuar. As puseta, asgjë… Pedonalja na shkarkohet te dyqanet. Bashkia nuk të jep zgjidhje, kot paguajmë taksa”, thonë tregtarët.

Reshjet e dendura kanë krijuar probleme edhe në disa akse rrugore në Bulqizë, si pasojë e rrëshkitjes së dherave e gurëve në rrugë.

Top Channel