Ndahet nga jeta ish-kreu i KMSH-së, Selim Muça

18/09/2016 00:00

“Të Zotit jemi dhe te Zoti do të kthehemi…”. Me këtë fjali e ka nisur Komuniteti Mysliman Shqiptar njoftimin për ndarjen nga jeta të ish-kreut të këtij komuniteti, Haxhi Selim Muça, i cili mbylli sytë në moshën 80-vjeçare.

“Sot është nisur për në udhën e pafundme, një prej drejtuesve më të spikatur të myslimanëve shqiptarë, Haxhi Selim Muça. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë, në moshën 80-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh. Haxhi Selim Muça do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi KMSH-në dhe punoi shumë për Bashkësinë Islame Shqiptare. Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së KMSH-së në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve myslimanë. Gjithashtu ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që i jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, por edhe në të gjitha hapësirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan”, thuhet në faqen zyrtare të KMSH-së.

Haxhi Selim Muça e drejtoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për 10 vite, nga 2004-2014, dhe pavarësisht pengesave të moshës dhe të shëndetit, ai punoi dhe u angazhua deri ditën e fundit në mbështetje të punës së KMSH-së. Si një bashkëshort shembullor, baba dhe gjysh i dashur, ai la pas bashkëshorten e tij Zisën dhe 3 fëmijët: Arjanin, Almën dhe Ermalin.

“Bashkohemi në këtë hidhërim të përbashkët dhe lusim Zotin ta bëjë një prej robërve të tij të xhenetit. Lusim Zotin e madh për mëshirë për shpirtin e tij!”, përfundon njoftimi i KMSH-së.

Top Channel