Sulmoi trupat qeveritare në Siri, Amerika pranon gabimin

18/09/2016 00:00

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të pranoi se, avionët e tij kryen një sulm në lindje të Sirisë, ku sipas Rusisë u vranë të paktën 62 trupa siriane që luftonin kundër Shtetit Islamik.

Amerika tha se avionët e saj ndalën menjëherë sulmin në zonën e Deri al Zour, kur morën vesh se në terren kishte ushtarë sirianë. Një zëdhënës i administratës amerikane shprehu keqardhjen e tij për humbjen e jetëve, në atë incident që mund të shmangej.

Komandantë amerikanë thanë se koalicioni besonte se po sulmonte pozicionet e ISIS, ndërsa sulmi u ndal sapo Rusia lajmëroi se luftëtarët dhe mjetet e sulmuara mund të ishin të ushtrisë siriane.

Kriza po diskutohet edhe nga Këshilli i Sigurimit, ku mësohet se Rusia deklaroi që armëpushimi aktual në Siri është në rrezik dhe për këtë është faji i Amerikës. Pala ruse shtoi se, nëse sulmi ndaj ushtrisë siriane është një gabim, kjo ndodhi sepse SHBA-të nuk pranojnë të koordinojë sulmet me Moskën.

Si pjesë e paktit për armëpushimin, që nisi të hënën në mbrëmje, Rusia dhe SHBA do të kryejnë sulme të koordinuara kundër militantëve islamikë, por vetëm nëse armëpushimi mban për të paktën 7 ditë. Por ndërsa ndihmat humanitare nuk kanë mbërritur në zonat e rrethuara, siç është rënë dakord, raportohet se luftimet në terren janë shtuar.

Sipas rebelëve, ndalimi i ndihmave humanitare është një taktikë e qeverisë, që pavarësisht se mund të mos i sulmojë, i mban ata dhe mijëra civilë të rrethuar që të vdesin nga uria. Analistët thonë se, nëse ndihma nuk mbërrin në zonat e rrethuara, ditët e armëpushimit janë të numëruara dhe pa armëpushim nuk do të ketë sulme të koordinuara ndaj Shetit Islamik.

Top Channel