SHBA, dhjetëra të plagosur nga shpërthimi “i qëllimshëm” në Nju Jork

18/09/2016 00:00

Të paktën 29 persona u plagosën si pasojë e një shpërthimi në një zonë të populluar të Nju Jorkut. Shkaku i shpërthimit në rajonin Chelsea të Nju Jorkut është ende i paqartë, por sipas kryebashkiakut Bill de Blasio bëhet fjalë për një akt me dashje, megjithëse nuk ka ende lidhje të vërtetuara me terrorizmin.

Forca e shpërthimit theu dritaret në zonë dhe u dëgjua në disa lagje. Mediet amerikane raportojnë ndërkohë se një tjetër pajisje, një tenxhere me presion e lidhur me tela, u gjet pas shpërthimit në të njëjtën zonë.

Autoritetet amerikane raportuan se asnjë prej të plagosurve nuk është në rrezik për jetën. Shumica prej tyre u plagosën nga copat e xhamit, apo ciflat e shkaktuara nga shpërthimi. Raportohet se mjeti shpërthues ishte brenda një koshi mbeturinash.

Mediet amerikane kanë publikuar video të ndryshme të marra nga kamerat e sigurisë në zonë, që tregojnë njerëz të shumtë që largohen në panik pas shpërthimit. Ky i fundit ndodhi në një zonë shumë të frekuentuar të Manhattanit, që gjatë fundjavës është plot me njerëz.

Policia amerikane tha se ka izoluar disa rrugë rreth zonës së ngjarjes dhe po vazhdon hetimet. Incidenti është komentuar edhe nga kandidatët presidencialë. Hillary Clinton u tregua mjaft e matur dhe tha se do të komentojë më vonë, kur të ketë detaje për ngjarjen. Ndërsa Donald Trump, megjithëse pranoi se ende nuk është e qartë çfarë ka ndodhur, deklaroi se në kohët që po jeton SHBA, amerikanët duhet të bëhë më të ashpër.

Top Channel