Rilindja Urbane në Tamarë, kryeministri inspekton punimet

17/09/2016 00:00

Kryeministri Rama inspektoi projektet që po realizohen në veri të vendit, në zonën e Tamarës. Përveç rrugës që të çon në këtë zonë është ndërtuar edhe një shëtitore e re përgjate lumit Çem.

Investimi prej 56 milionë lekë gërsheton peisazhin natyror me karakteristikat alpine të zonës. Aktualisht po punohet për vendosjen e sistemit të ndriçimit, i cili do të jetë në tokë dhe nën strehën e çative, si dhe përgjatë shëtitores.

Vermoshi është një tjetër pikë e atraksionit turistik malor të Shqipërisë. Pas ndërtimit të rrugës deri në Tamarë, aktualisht po punohet për lotin e dytë të rrugës, nga Tamara në Vermosh.

“Në një total të projektit rreth 70 kilometra dhe faktikisht, nga 3 orë e gjysmë deri në 4 orë që duhej të shkoje nga qendra e Bashkisë së re të Malësisë së Madhe në Koplik deri në Vermosh, rruga tani bëhet pak a shumë 90 minuta. Kjo na jep një dorë të madhe për të vazhduar me projektin e zhvillimit të turizmit këtu, që, siç e kemi parë nga ndërhyrjet e bëra deri tani gjatë segmentit që përfunduam dhe ndërhyrja e bërë në Tamarë, impaktin e ka të menjëhershëm me një rritje disafish të fluksit”, deklaroi Rama.

Edhe në Vermosh do të shtrihet projekti i Rilindjes Urbane. Në një bisedë me drejtuesit vendorë, kryeministri nënvizoi se duhet të vlerësohet dhe merret në konsideratë çdo element i zonës që maksimizon impaktin, në mënyrë që projekti të sjellë rritjen e turizmit dhe zhvillimit të ekonomisë familjare.

Top Channel