Sllovaki-Angli, FIFA heton deklaratat e Duricas

17/09/2016 00:00

FIFA hap hetimet për ndeshjen mes Sllovakisë dhe Anglisë për eliminatoret e Botërorit 2018. Qeveria e futbollit botëror e ndërmori këtë hap pas deklaratës së mbrojtësit sllovak, Jan Durica, i cili tha se rezultati i kësaj ndeshjeje të fituar nga “Tre Luanët”, ishte i fiksuar nga arbitrat.

Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, FIFA hyri në kontakt me drejtuesit e Federatës Sllovake të Futbollit për të nisur këto hetime paraprake në lidhje me deklaratat e futbollistit. Në momentin e parë, Federatës Sllovake iu kërkua që të qartësojë fjalët e Duricës, por nuk përjashtohet mundësia e marrjes së masave disiplinore.

Anglia arriti të fitojë sfidën me Sllovakinë 1-0 me golin e Lalanës në minutat e fundit të saj, ndërkohë që skuadra sllovake luajti për 33 minuta me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Skrtel. Kaq ka mjaftuar që Durica të lëshojë akuzat e rënda.

“Ka vetëm një vend për në Kupën e Botës. Pse duhet të shkojë Sllovakia kur në grup është Anglia? Të gjithë preferojnë skuadrën më të fortë. Ndoshta arbitri e dinte me saktësi se si duhet të vepronte”, ishte deklarata e fortë e futbollistit të përfaqësueses sllovake.

Top Channel