Mjeshtërit e gurit në Francë po përpiqen të hedhin dritë mbi misteret e ndërtimeve mesjetare përmes ngritjes së një keshtjelle me teknikat dhe materialet e përdorura në shekullin e 13.

Në pyjet e Burgundisë veriore, një ekip prej 40 personash është duke punuar për shndërrimin e një zone të pasur me gurë, baltë, ujë, drurë e rërë në një kështjelle të epokës. Eksperimenti arkitekturor u frymëzua nga një studim që tregoi se brenda mureve të Chateau de Saint Fargeau, të ndodhur aty pranë, fshihej një kështjellë mesjetare. Shpresat janë që, duke vepruar njësoj si përpara qindra vitesh, t’i jepen përgjigje pyetjeve historike mbi konstruksionet mesjetare dhe bota moderne të nxjerrë gjithashtu mësime mbi qëndrueshmërinë e godinave.

Gurëgdhëndësi Clement Guerard, tha: “E mira e kësaj që po bëjmë këtu është se do të na ndihmojë të rikthejmë një trashëgimi të vjetër. Nëse përdorim vërtet të njëjtat teknika me ato të Mesjetës, do të kemi zgjidhje të jashtëzakonshme për restaturimin dhe ruajtjen e krijimeve të hershme”.

Pas tre vjet financimi fillestar nga Bashkimi Europian, autoritetet rajonale dhe mbështetësit privatë, projekti tani fondet i merr krejtësisht nga 300 000 turistët që vizitojnë zonën çdo vit.

“E vështirë të imagjinohet sesi mund ta shohësh Mesjetën të ndodhë përpara syve të tu. Tani e kuptojmë sa kohë kërkon ngritja e një kështjelle. I lejon dhe brezat e rinj të shohin se çfarë ishin në gjendje të bënin paraardhësit tanë”, thotë një turiste.
 
Iniciatorët e projektit shprehen se do ta zgjerojnë fushën e tyre të veprimit me shpresën që një ditë të ndërtojnë një fshat të tërë mesjetar.

Top Channel