Tiranë, nis projekti për rehabilitimin e zonës së Doganës

17/09/2016 00:00

Bashkia e Tiranës nisi projektin e rikualifikimit urban në zonën e Doganës, në Laprakë. Në këtë zonë banimi prej 34 hektarësh po ndërhyhet në rrugë, trotuare, infrastrukturë elektrike, kanalizime dhe sinjalistikë.

Rikualifikimi urban i zonës, e cila përbëhet nga 35 segmente rrugore, ku kryesisht mbizotërojnë shtëpi banimi private të ndërtuara në vitet e tranzicionit, pritet t’i japë asaj pamjen e një lagjeje moderne.

Paralelisht po zbatohet edhe projekti i UKT-së, për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa inspektoi punimet që kanë nisur aty prej disa ditësh, theksoi se projekti respekton të njëjtat standarde të larta si në çdo punë tjetër publike.

“Dua të falenderoj 90% të qytetarëve në këtë bllok të njësisë nr. 7, të cilët kanë pranuar me dashamirësi që të tërhiqen dhe të lejojnë realizimin e plotë të projektit, pa krijuar vonesa. Jam shpresëplotë se me pak mund, edhe 10%-shi tjetër do të bindet, sepse janë ata përfituesit kryesorë të projektit, për të ruajtur distancën, që të kemi një rrugë me standarde. Jam i bindur se brenda vitit do ta kemi përfunduar këtë investim në 35 segmente, që të përfitojnë 6 mijë banorët e njësisë 7”, deklaroi Veliaj.

Përveç punimeve në infrastrukturën rrugore dhe atë të nëndheshme, projekti i rehabilitimit të kësaj zone parashikon edhe ndërtimin e rrjetit të ri të ndriçimit rrugor. Gjithashtu do të rindërtohen rreth 2.660 metra mure rrethuese të banesave të cilat u prishën për të zgjeruar rrugët ose për ndërtimin e trotuareve.

Top Channel