SHBA, sulm ndaj policisë; qëllohet 8 herë një agjente

17/09/2016 00:00

Sërish akte dhune kundër policisë në Shtetet e Bashkuara. Mbrëmjen e djeshme në Filadelfia një oficere e ndodhur në makinën e saj është bërë pre e një atentati.

Gruaja është qëlluar të paktën 8 herë nga një person i armatosur, por ka shpëtuar falë jelekut antiplumb që mbante veshur, bëjnë të ditur mediat amerikane.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kampusit të Universitetit të Pensilvanisë. Pasi ka qëlluar agjenten, autori është larguar duke qëlluar nëpër rrugët e lagjes, duke plagosur një ish-polic dhe 4 civilë, para se të vritej nga patrullat.

Ngjarja më e rëndë e verifikuar këtë vit në Shtetet e Bashkuara kundër forcave të rendit ishte ajo në Dallas, ku një ish-snajper i ushtrisë qëlloi dhe vrau 6 agjentë në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjeve të të rinjve me ngjyrë nga policia.

Top Channel