Trump polemizon sërish: T’u hiqen armët truprojave të Clinton

17/09/2016 00:00

Kandidati republikan për president të SHBA, Donald Trump po përballet me një valë kritikash pasi ka bërë për herë të dytë një deklaratë që sugjeron vrasjen e rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Në takimin elektoral të radhës, Trump sugjeroi se, agjentët e sigurisë të zonjës Clinton duhet të dorëzojnë armët dhe “të shohin se çfarë mund t’i ndodhë asaj”.

Ai u tha mbështetësve të tij se rivalja demokrate synon të “shkatërrojë amendamentin e dytë”, që është e drejta për të zotëruar armë.

“Mendoj se truprojat e saj duhet të dorëzojnë armët. Ata duhet të çarmatosen, apo jo? Le t’i heqin armët meqenëse ajo nuk i do dhe të shohin ç’do t’i ndodhë asaj”, tha Trump në një takim të mbajtur në Majemi.

Stafi i zonjës Clinton e ka akuzuar miliarderin për nxitjen e dhunës. “Qoftë kjo një thirrje për të provokuar protestuesit në një miting, apo një shaka, është sidoqoftë e papranueshme kur thuhet nga dikush që synon të marrë postin e presidentit”, deklaroi zëdhënësi Robby Mook.

Top Channel