Shkolla ka filluar, nxënësit ende pa libra

16/09/2016 00:00

Të shkosh në shkollë pa libra është njësojë si të shkosh pa armë në luftë. E megjithëse jemi në fund të javës së parë të vitit të ri akademik, ende nxënësit e ciklit të ulët dhe të mesëm nuk janë pajisur me tekstet mësimore.

Kamera e “Fiks Fare” bëri një vëzhgim në zonën e Kombinatit në Tiranë, në pikën e shitjes së librit shkollor pranë shkollës “Myslym Keta”. Qytetarët pranojnë orët e gjata në radhë dhe faktin se ende nuk i kanë blerë të gjithë tekstet shkollore që u nevojiten fëmijëve.

“Kjo është hera e tretë që po vij dhe akoma nuk kam mbaruar punë”, thotë një qytetar, ndërsa shton se, edhe pse ora është 11:00, shitësi i librave ende nuk e ka hapur dyqanin.

Një i moshuar rreth 80 vjeç thekson se radhët nuk i janë ndarë gjithë jetës. Ai pohon se ka rreth dy orë që mban radhën për të blerë rreth 8 libra për nipin, edhe pse s’e di se sa do zgjasë e gjitha kjo.

Kurse një nënë e shoqëruar nga vajza e saj në klasën e dytë shprehet se ka ditë që i është dashur të mbyllë biznesin privat, në mënyrë që të mbajë radhë për blerjen e librave të fëmijës, por ende nuk ka blerë asnjë. Në çantën e shkollës së vajzës së saj gjenden vetëm disa fletore dhe mbështjellëse për librat që ende nuk i ka.

Radhë ka edhe në pikën e shitjes së librave në Bathore, pranë shkollës “Salit Coka”. Në mungesë të disa teksteve, prindërit janë detyruar të mbajnë radhë me ditë të tëra, për të marrë gjithë bazën mësimore.

Librat që mungojnë fillojnë nga klasa e parë me “Fleta e Punës” dhe vazhdon me mungesën e “Matematika 5”, “Histori 5”, “Arti Pamor 6”, “Histori 6”, “Arti Pamor 7”, “Biologji 8”, “Edukatë 8”. Sipas shitësve të libravë, një situatë e tillë si në këtë fillim viti akademik, nuk ka qënë asnjëherë.

Top Channel