Franca “rikthehet” në Mesjetë me projektin e kështjellës “Guedelon”

16/09/2016 00:00

Ndërtuesit francezë kthehen pas në kohë dhe po ndërtojnë një kështjelle duke u mbështetur vetëm te teknikat e materialet e shekullit të XIII.

Qëllimi i tyre është të hedhin dritë mbi misteret e ndërtimeve në Mesjetë. Në thellësinë e një pylli në veri të Burgundy, një grup prej 40 ekspertësh po përdorin metoda mesjetare për të shndërruar burimet e zonës, të tilla si guri, balta, uji, druri dhe rëra, në atë që e kanë quajtur kështjella “Guedelon”.

Ata që po marrin pjesë në projekt shpresojnë që përmes kësaj sfide do të ndihmojnë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve historikisht të pazgjidhura, lidhur me ndërtimet në Mesjetë, e gjithashtu të ofrojnë leksione për botën moderne lidhur me godinat e qëndrueshme.

“Ajo që po bëjmë do të na ndihmojë të rikthejmë trashëgimine antike. Problemi është se do të duhet shumë kohë. Në botën moderne ne jemi mësuar të punojmë shumë shpejt për të qenë shumë konkurrues. Këtu duam të fokusohemi më shumë te cilësia, sesa të sasia”.

Projekti, që ka nisur që prej vitit 1997, ka ndihmuar gjithashtu në hapjen e vendeve të punës në një zonë të Francës, që më parë ka vuajtur nga papunësia e lartë, ndërsa qindra entuziastë e studentë bëhen pjesë e tij çdo vit.

Pas financimeve 3-vjeçare nga Bashkimi Europian, rajoni dhe donatorët privatë, projekti mbështetet tani vetëm te 300 mijë turistët që e vizitojnë atë çdo vit. Natali Bonis, një turiste nga Parisi thotë se ishte hera e dytë që vizitonte zonën dhe se ishte mahnitur me progresin e bërë.

“Është e vështirë ta imagjinosh se pikërisht kështu ka ndodhur edhe në Mesjetë. Tani mund ta kuptojmë se sa kohë duhej për të ndërtuar një kështjellë”, tha ajo.

Në vitin e 19 të punimeve, “Guedelon” po ndërtohet me të njëjtat ritme, siç do të ndodhte në Mesjetë, ndërsa pjesëmarrësit në projekt parashikojnë se do të duhen edhe të paktën 10 ose 15 vite të tjera, pa llogaritur punimet e brendshme.

Top Channel