Aktorja e mirënjohur shqiptare Luiza Xhuvani do të vërë në skenë në kryeqytetin helen, Athinë, shfaqjen me titull “Një gur gabim”, me skenar dhe regji të Theodhoros Grapsas dhe bashkëregji të Kiço Londo.

Vepra pasqyron marrëdhënien mes nënës dhe vajzës së saj ndërtuar mbi situatën në një familjeje greke, por edhe në atë shqiptare të kohëve moderne.

“Është një shfaqje e përbashkët, një eksperiment i mirëfilltë shumë i fortë, sepse në shfaqje do të fliten njëkohësisht dy gjuhë. Dy gjuhë në të njëjtën sallë. Vlen të përmendet se në këtë shfaqje do të interpretojë aktorja e famshme e skenës shqiptare Luiza Xhuvani”, thotë Kiço Londo.

“Kemi bashkëpunuar me Kiço London dhe Luiza Xhuvanin edhe në të kaluarën, në shfaqjen “Zonjush Margarita”. Ishte një sukses, si në shfaqjen këtu, edhe në atë në Tiranë. Tani do të vëmë në skenë shfaqjen “Një gur gabim”. Kjo shfaqje ndihmon në forcimin e lidhjeve dhe miqësisë midis dy popujve, që janë miq”, thotë regjisori grek Theodhoros Grapsas.

“Është një eksperiment. Mendoj se është diçka ku është investuar shumë punë, shumë dashuri. Është investuar shumë profesionalizëm për të sjellë një gjë ndryshe dhe do të jetë diçka ndryshe”, thotë nga ana e saj aktorja Xhuvani.

Provat kanë filluar dhe së shpejti publiku në Athinë e më pas në Tiranë do të shohë në një skenë dy aktorë grekë dhe dy shqiptarë, në një vepër që do të interpretohet njëkohësisht në gjuhët respektive.

Top Channel