E rrahin me shkopa bejsbolli dhe trupin ua hedhin derrave…

16/09/2016 00:00

E rrahën me shkopa bejsbolli derisa e çuan pranë vdekjes dhe më pas, për t’i dhënë fund jetës së tij ua hodhën trupin derrave. Një tufë derrash që ndodheshin në sallë iu vërsulën trupit ende në agoni derisa e shqyen të tërin.

Ngjarja në fjalë, tronditëse në vetëvete por jo dhe aq sa i takon ambjentit ku është verifikuar, ka maturuar në kuadër të një konflikti mes disa familjeve mafioze në Rajonin e Kalabrisë, në Itali. Viktima është bosi Francesco Raccosta, i cili u shpall i zhdukur në 13 mars 2012.

Këtë të premte, një gjykatë në Itali ka dënuar përgjegjësin kryesor të aktit makabër, Simone Pepe, i cili u “gozhdua” nga hetimet e policisë, që i kishte vendosur një përgjues në makinën e tij. Hetuesit e kanë dëgjuar të riun teksa i tregonte një shokut të tij “veprën” që kishte bërë.

“Matteo, e hodha në mes të sallës, (hahahah) ishte një kënaqësi e madhe teksa e dëgjoja të klithte. E kishim lidhur të tërin, krahët mbrapa, duart mbrapa dhe pastaj këmbët. Matteo të betohem, ishte një eksperiencë jo e bukur, por shumë më tepër se aq. E hodhëm, ishte i gjakosur i tëri, u hapëm dyert derrave… Në fund nuk mbeti asgjë, vetëm kockat”, tregonte Pepe, pa e ditur që fjalët e tij po dëgjoheshin nga hetuesit.

Djali, i ri në moshë, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa për bashkëpunëtorët e tij janë dhënë dënime nga 6 deri në 28 vjet.

Viktima, Francesco Raccosta ishte eksponent i rëndësishëm i familjes me të njëjtin emër, e cila, në aleancë me familjen Ferraro ishin në luftë me fraksionin Polimeni-Bonarrigo-Mazzagatti. Dyshohet se vrasja e tij ka qenë një hakmarrje për vrasjen e bosit Domenico Bonarrigo.

Top Channel