Ciampi, ushtaraku që u bë president i Italisë. Pro integrimit të Shqipërisë në BE

16/09/2016 00:00

Konsiderohej një prej presidentëve më të dashur të Italisë. Carlo Azeglio Ciampi, i lindur në Livorno në vitin 1920, por ai nuk ka drejtuar vetëm shtetin.

Nga viti 1999 deri në 2006-n, pas një votimi rekord në unanimitet për vetëm 2 orë e 40 minuta, në një turn të vetëm vote, duke marrë një shumicë dërrmuese votash nga të gjitha forcat politike, ai u bë President i Italisë.

Për 14 vite, ai ka mbuluar postin e guvernatorit të Bankës së Italisë, por edhe atë të kryeministrit në vitin 1993.

Ciampi ka qenë një ndër ushtarët e shumtë italianë të dërguar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, i dislokuar në afërsi të Kavajës. Po aty, këtë herë si president republike, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare jashtë vendit, Ciampi takoi më 11 qershor të vitit 1999 forcat italiane, të angazhuara për krizën në Kosovë.

Vizita e tij e mëpasshme në Shqipëri është zhvilluar në vitin 2002, ndërsa në shumë intervista e deklarata, ai është shprehur thellësisht i bindur për nevojën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Top Channel