Trump e thotë edhe vet: Obama është lindur në SHBA

16/09/2016 00:00

Në fillim zyrtarë të fushatës së tij, e tashmë edhe vet Donald Trump. Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 8 nëntorit, i cili prej kohësh ka hedhur dyshime mbi shtetësinë e presidentit Barack Obama, këtë të premte tha me gojën e tij se beson që kreu i Shtëpisë së Bardhë është lindur në Shtetet e Bashkuara.

“Presidenti Barack Obama është lindur në SHBA dhe pikë”, tha Trump gjatë një eventi të fushatës së tij.

Kandidati republikan është një nga udhëheqësit e lëvizjes “Birther”, që vinte në dyshim nënshtetësinë e presidentit të ardhur në jetë në ishullin e Hauait. Miliarderi njujorkez ka këmbëngulur deri vonë se, Obama është lindur jashtë Amerikës, e për rrjedhojë nuk kishte të drejtën të bëhej kryetar i shtetit.

Por deklarata e lëshuar nga zëdhënësi i fushatës së tij, Jason Miller, tregon tani një ndërrim të kursit. Kampi i tij, ndërkohë, është hedhur në akuza ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton, me pretendimin se këtë “çështje njollosëse” e ka ngritur më së pari ajo, gjatë paraprakeve të vitit 2008.

Faktikisht nuk ka asnjë dëshmi që ta lidhë ish-Sekretaren e Shtetit me njerëzit që kanë vënë në dyshim vendlindjen e presidentit. Përmes një mesazhi në rrjetin social “Twitter”, ajo u kundërpërgjigj duke thënë se, njeriu që ka udhëhequr lëvizjen raciste “Birther” nuk mund dhe nuk do të jetë pasardhës i Obamës.

Trump ishte i ftuari i Jimmy Fallon në “Tonight Show”. Nga fundi i “talk show”-t, Fallon e pyeti kandidatin republikan nëse mund të bënte diçka jopresidenciale, siç ishte shpupurisja e flokëve. Manjati, që është vënë jo rrallëherë në shënjestër për flokët e tij, e lejoi.

“Shpresoj që njerëzit në New Hampshire, ku po shkoj tani, ta kuptojnë”, tha Trump duke u përpjekur të ulë flokët, ndërsa Fallon e falënderoi që i dha material për diskutime.

Top Channel