“CAS” mban pezull dënimin e Realit për kontratat me minorenët

16/09/2016 00:00

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë vendosi të mbajë pezull dënimin ndaj Realit të Madridit, të vendosur nga FIFA, për thyerjen e rregullave për nënshkrimin me futbollistët nën 18 vjeç, dënim që bllokoi edhe merkaton e transferimeve të klubit madrilen.

Reali i Madridit e bëri të ditur këtë lajm nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen zyrtare të internetit, ku bëhej e ditur se tashmë ata futbollistë që ishin prekur nga ky vendim i FIFA-s do të mund të aktivizohen nga skuadrat e tyre respektive.

Ky vendim i CAS-it hap një tjetër betejë ligjore mes “Los Blancos”-ve dhe organizmit qeverisës të futbollit botëror. Nëse deri në muajin janar nuk do të vijë asnjë përgjigje negative kundrejt apelit të bërë nga Reali i Madridit, atëherë klubi “merengues” do të ketë mundësi të ndërhyjë në merkato dhe të blejë normalisht futbollistë për përforcimin e skuadrës.

Ndërsa për Atletico Madrid, situata është krejt ndryshe. CAS nuk është prononcuar për “Los Colchoneros” për dy arsye. Së pari, Atletico ishte në gjendje që të sistemonte situatën e minorenëve të përfshirë në këtë çështje. Së dyti, drejtuesit e këtij klubi ende nuk e kanë bërë një apel kundër dënimit të vendosur nga FIFA.

Top Channel