Rrëfimi i pilotit: Si më kontaktoi krimi shqiptar. 20 mijë euro për 200 kg

16/09/2016 15:15

“U ula në tokë dhe në momentin që do të ngrihesha, avioni më doli nga kontrolli”. Pas qëndresës fillestare për të mos folur, kështu e ka nisur rrëfimin piloti italian Guidi, i cili gjatë mbrëmjes së kaluar ka folur me emra për njerëzit me të cilët ka negociuar për t’u bërë transportues droge.

“Një miku im në Itali që ka qenë i dënuar për çështje droge ka takuar një shqiptar, gjithashtu i dënuar. Më folën dhe pranova. Do paguhesha prej shqiptarit 20 mijë euro për një rrugë në të cilën do të kaloja në Itali 200 kilogramë kanabis”, ka thënë piloti.

Në dëshminë e tij, piloti italian ka dhënë emrat e njerëzve me të cilët ka bërë tregti, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkaqe hetimi. Sipas rrëfimit të tij, ai kishte fluturuar drejt Shqipërisë për të parë nga afër pistën nëse ishte e mundur apo jo ulja dhe më pas do të rikthehej. Aktualisht, prokuroria po tenton ta kthejë pilotin italian në një bashkëpunëtor të drejtësisë, ndërkohë që pohimet e tij do të duhet të provohen edhe me të dhëna të tjera që priten nga shteti italian, siç janë të dhënat e dy shtetasve të dënuar për çështje droge.

Aktualisht, piloti Guido Andrea Guidi po ruhet në një vend të posaçëm. Ai rezulton i arrestuar gjatë vitit 2006 në Itali për një aksident të ndodhur në vitin 2003.

Top Channel