Veliaj: Konferenca e Pezës, përpjekje madhore që vendosi fatin e Shqipërisë

16/09/2016 00:00

Në një ceremoni të organizuar nga Bashkia e Tiranës në fshatin Pezë,  veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor përkujtuan 74-vjetorin e Konferencës së Pezës, organizimit më të madh nacionalist e çlirimtar në luftën kundër fashizimit.

Pranë lapidarit që përkujton këtë ngjarje, që unifikoi shqiptarë pa dallim krahine, feje dhe ideje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj rikujtoi se Konferenca e Pezës përcaktoi pozicionimin e Shqipërisë në luftë në anën e aleatëve.

Ngjarje të tilla i kujtojmë, tha ai, sepse shembulli i burrave dhe grave që dhanë jetën duhet të gjenerojë modele për të rinjtë sot.  

“Sot nuk kërkohen ato lloj sakrificash, si 74 vite më parë, por prapë kërkohet po aq dashuri, po aq vendosmëri, po aq përkushtim ndaj atdheut tonë të përbashkët, ndaj qytetit tonë, ndaj komunitetit, ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për shembullin dhe për frymëzimin e tyre. Kemi nevojë për shembullin e burrave dhe të grave që prehen këtu pas nesh, të shokëve të tyre veteranë, që sot kanë ardhur këtu nga e gjithë Shqipëria për t’i nderuar, por mbi të gjitha kemi nevojë që shembulli që ata dhanë të kthehet në modelin e këtyre të rinjve që janë me ne sot, se ka më shumë gjëra që na bashkojnë përtej partive, përtej të majtës dhe të djathtës, sesa gjërat që na ndajnë për të ndërtuar një Shqipëri evropiane”, tha Veliaj.

Edhe për zëvëndëskryeministrin Niko Peleshi, konferenca që bashkoi shqiptarët në vitin 1942 duhet të jetë edhe sot shembull bashkimi: “Për të arritur progresin që synojmë, është i nevojshëm një bashkim dhe bashkëpunim i çdo force politike drejt një qëllimi të njëjtë për zhvillimin dhe përfshirjen e plotë të Shqipërisë në rrugën drejt familjes së madhe evropiane”.

Aktivitetet në përkujtim të Konferencës së Pezës do të vazhdojnë deri në 18 shtator.

Top Channel