Ministrja Gjosha në Itali: Bashkitë, rol përgjegjës për zhvillimin territorial

16/09/2016 00:00

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori pjesë në Konferencën “Alterenergy, model komuniteti” e cila u zhvillua në Bari të Italisë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin Michele Emiliano, Guvernator në Rajonin e Pulias dhe Bernardo Notarangelo, Koordinator i Politikave Ndërkombëtare në Rajonin e Pulias.

Ministrja Gjosha  falënderoi organizatorët e këtij eventi dhe u shpreh se bashkëpunimi me vendet në të cilat është zbatuar projekti “Alterenergy” ka qenë i suksesshëm në fusha të ndryshme, shkëmbime të ngushta tregtare si dhe pjesëmarrje në programe, projekte dhe iniciativa të financuara nga Bashkimi Evropian. Ky projekt i ka dhënë ndihmesë vendit në përmbushjen e kritereve në sektorë të ndryshëm.

“Me rajonin e Pulias jemi fqinj dhe vendet tona ndajnë një histori të gjatë miqësie. Kjo lidhje kaq e fortë mes vendeve tona është dhe një ndër arsyet që bashkëpunimi ynë në fusha të ndryshme ka qenë i suksesshëm”, tha Ministrja Gjosha.

Gjatë fjalës së saj Ministrja e Integrimit Europian theksoi se ky projekt ka luajtur një rol të madh në ndërgjegjësimin e komunitetit dhe ka sjellë përafrim dhe zbatim më të mirë të procedurave ligjore të BE-së.

“Shkëmbimi i eksperiencave mes përfituesve të projektit, të përfshirë në këtë iniciativë krijon një “mënyrë europiane të të menduarit” përgjatë zbatuesve të projektit dhe përfituesve të fundit”, u shpreh ministrja.

Ministrja Gjosha u shpreh se ndër të rejat e këtij aksion është dhe përfshirja dhe shënjestrimi i komuniteteve dhe bashkive të vogla, që përkon plotësisht me përpjekjet e qeverisë shqiptare që prej mesit të 2015.

“Shqipëria ka një ndarje të re administrativo- territoriale dhe Reforma Territoriale e ndërmarrë nga qeveria ka zvogëluar numrin e bashkive. Tashmë bashkitë janë aktorët kryesorë përgjegjës për zhvillimin territorial brenda zonës së tyre. Kanalizimi i asistencës përmes bashkive është tashmë prioritet i qeverisë shqiptare”, nënvizoi ministrja Gjosha.

Top Channel