PD: Tahiri, në shërbim të kartelit të drogës. Nxjerr sekretin hetimor, prish hetimin

16/09/2016 12:45

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Flamur Noka, ka denoncuar se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, “u kap mbrëmë në shërbim ndaj kartelit të drogës“. 

“Tahiri i dërgoi fjalë trafikantëve se italiani ka filluar të flasë, duke i këshilluar ata që të lëvizin, të marrim masa, të largohen, t’i shpëtojnë ligjit. Është pikërisht Saimir Tahiri njeriu që nxori lajmin mbrëmë se piloti italian i rënë me avion në Ishëm, ka nisur të rrëfejë se kishte ardhur për të transportuar drogë e të tregojë porositësit. Saimir Tahiri ka nxjerrë sekretin hetimor, ka prishur hetimet. Kjo është jo vetëm një provë e lidhjes së drejtpërdrejtë me bandat e trafikantët, por është po ashtu një vepër e rëndë penale, për të cilën ai duhet të mbajë përgjegjësi. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë ta hetojë me shpejtësi dhe vendosmëri këtë skandal dhe autorin e vërtetë të këtij krimi”, tha Noka.

“Krimin nuk e kanë kryer gazetarët që transmetojnë lajmin. Krimin e ka kryer burimi që ka dhënë lajmin. Krimin e ka kryer Saimir Tahiri. I cili prej tre vitesh ka dalluar me të gjitha mënyrat si shërbëtor besnik i bandave të drogës e i trafikantëve, duke u dhënë edhe makinën private, duke djegur provat në laboratorin e shtetit, e së fundmi duke nxjerrë sekretin hetimor. Karteli i drogës me Tahirin e me Ramën ndërtuan në mes të Shqipërisë një pistë avionësh 1.5 kilometra të gjatë, ndërkohë që qytetarët nuk rregullojnë dot çatinë e shtëpive të tyre sepse nuk i lejon policia. Karteli i drogës e ka Tahirin edhe zëdhënës, pasi pas denoncimit që unë bëra dje në Parlament, ai bashkë me Ramën tentuan ta mohojnë ngjarjen, ta fshehin të vërtetën. Tahiri me pushtetin e ministrit të brendshëm po tregon se është një rrezik serioz për shtetin ligjor në këtë vend, ai eshte rrezik serioz për drejtësinë, për luftën ndaj krimit dhe luftën ndaj drogës. Ai duhet të merret menjëherë, sot, në ndjekje penale e të japë llogari para ligjit”, shtoi Noka.

Top Channel