Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Gruemirë të Shkodrës, ku kreu i qeverisë premtoi se programin për bujqësinë do ta përmbushë brenda këtij mandati qeverisës.

“Dërdëllitje një orë pa pushim me regji qendrore për mrekullitë e mëdha që po ndodhin në bujqësi, ndërkohë që ka hequr çdo subvencion, nuk ka ngritur një treg të vetëm, nuk ka stimuluar një bujk a blegtor në gjithë vendin. Llomotit Rama në kohën kur fshatin e ka pllakosur një varfëri skëterrë. Burimet ujore janë në shërbim të kartelit të drogës, pllajat, kodrat, arat, kullotat e pyjet janë zaptuar nga trafikantët. Pëveçse u ka kthyer kurrizin, fshatarët duhet të ruhen çdo ditë të mos prekin në zotërimet e kartelit të Edi Ramës, sepse rrezikojnë dhe jetën”, shkroi Basha në Facebook.

”Bujqësia ka nevojë për 100 milionë dollarë në vit subvencione që të ngrihet e të zhvillohet. Paratë janë, por Edi Rama i ndan me hajdutët e tij për makina luksi, zyra, fasada, e ekspozita jashtë shtetit. Për të marrë këto para, këtë ndihmë jetike, fshati duhet të ngrihet e të largojë hajdutët. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shtoi Basha.

Top Channel