Leskaj në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg

16/09/2016 00:00

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj mori pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po zhvillohet këtë javë në Strasburg.

Në fjalën e saj të mbajtur gjatë Asamblesë, Leskaj evidentoi disa nga reformat më të rëndësishme të ndërmarrë nga Shqipëria gjatë kohëve të fundit dhe që dëshmojnë progresin e vendit.

“Pas miratimit në vitin 2014 në parlament të reformës administrative-territoriale, që reduktoi ndjeshëm numrin njësive vendore me qëllim përmirësimin e eficencës së shërbimeve lokale, një vit më pas ne zhvilluam zgjedhjet për pushtetin vendor të bazuar në këtë sistem të reformuar, duke përftuar kështu një produkt të prekshëm për qeverisjen vendore dhe për qytetarët tanë. Dhjetorin e kaluar, miratuam një ligj për integritetin e zyrtarëve publikë (ligjin për dekriminalizimin), që është vlerësuar si një nga ligjet më të ashpra në Evropë për pastrimin e përfaqësimit publik nga zyrtarët e korruptuar. Tashmë jemi në fazën e implementimit dhe kemi vendosmërinë për të ecur përpara dhe për të siguruar që çdokush në administratën publike të ketë nivelin më të lartë të integritetit”, u shpreh Leskaj.

Nënkryetarja e Kuvendit e vuri theksin te reforma administrative-territoriale, miratimi i ligjit për dekriminalizimin dhe reformës në drejtësi me konsensus si miratime madhore parlamentare që kane patur efekt ne jetën politike e sociale shqiptare.

“Jam e lumtur t’i raportoj kësaj Asambleje se korrikun e kaluar, pas një procesi të gjatë dhe të vështirë politik, the Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus të plotë reformën kushtetuese që i ka hapur rrugën ndryshimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Së fundmi, ne miratuam edhe ligjin e Vetting-ut dhe shpresojmë që të ecim sipas axhendës së parashikuar. Një sistem drejtësie më i mirë dhe më efecient do të na japë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, fenomene që prekin rajonin tonë”, shtoi Nënkryetarja e Kuvendit.

Gjithashtu, znj. Leskaj theksoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin me institucionet e pavarura dhe shoqërinë civile, duke forcuar kështu rolin mbikëqyrës ndaj institucioneve ekzekutive e ligjzbatuese ne vend.

Në këtë kontekst u shpreh Znj. Leskaj, Kuvendi ka një kontribut të veçantë në avancimin e axhendës evropiane dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

“Kuvendi i Shqipërisë ka rritur ndjeshëm rolin e vet ndaj institucioneve ekzekutive dhe ne jemi krenarë për progresin e bërë, që është vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian. Kuvendi ka rritur bashkëpunimin me institucionet e pavarura si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, organizatat e shoqërisë civile dhe me të gjitha grupet e interesit dhe mekanizmat institucionalë. Kuvendi i Shqipërisë po punon ngushtë me përfaqësuesit e këtyre institucioneve ashtu si edhe me shoqërinë civile në mënyrë që të sigurojë se axhenda e të drejtave të njeriut të qëndrojë në krye të prioriteteve tona, që janë gjithashtu thelbësore për procesin e integrimit europian”, deklaroi ndër të tjera në fjalimin e saj Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj.

Top Channel