Vdes nëna dhe foshnja. Familjarët akuzojnë spitalin

16/09/2016 00:00

Një grua 35-vjeçare, Aida Çajku, shtatzënë në muajin e nëntë, vdiq sot në mëngjes në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore dhe një kalvari përcjelljesh nga një spital në tjetrin.

Të afërmit e saj tregojnë se e kanë dërguar në spital mbrëmë dhe nga materniteti kanë përfunduar në pavionin e kardiologjisë në QSUT, e pas kësaj në Sanatorium dhe pastaj sërish në maternitet, ndërkohë që gjendja e nënës sa vinte e rëndohej nga njëri spital në tjetrin.

Në orët e para të mëngjesit, sipas të afërmve të gruas, pasi është rikthyer në maternitet mjekët kanë konstatuar se foshnja kishte vdekur dhe e kanë futur gruan në sallën e operacionit për të hequr foshnjën. Por, pak minuta pasi ka hyrë në sallë, ka humbur jetën edhe nëna. Të afërmit e saj akuzojnë mjekët e spitalit për vonesa nga njëri proces në tjetrin dhe mungesa të shërbimit dhe mjeteve, duke filluar nga mungesa e personelit ku janë paraqitur, sallat e mbyllura, mungesa e barrelës për transportin e të sëmurës, mungesën e oksigjenit etj.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, të afërmit e gruas kanë thyer derën e shërbimit të urgjencës si dhe disa xhama dhe për këtë arsye është shoqëruar vëllai i gruas shtatzënë. Sipas deponimit të mjekëve, sapo është dhënë lajmi se ka vdekur foshnja, të afërmit e gruas kanë shkatërruar disa pajisje në pavion.

Policia ndërkohë ka sekuestruar kartelat për të parë procedurën e shërbimit ndaj gruas si dhe po merr deklaratat e mjekëve dhe të të afërmve të saj.

Drejtoresha e maternitetit, Rubena Moisiu, duke komentuar akuzat e familjarëve, ka pohuar se janë duke u bërë të gjitha verifikimet nëse ato qëndrojnë apo jo, duke shtuar se urgjenca e maternitetit është e hapur gjatë gjithë 24 orëve.

Por, ndërkohë mësohet se prokuroria ka nisur tashmë hetimet për neglizhencë dhe pakujdesi të mjekëve.

Top Channel