Pa Britaninë, BE diskuton krizat dhe një ushtri të përbashkët

16/09/2016 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të mblidhen në Bratislavë pa Britaninë e Madhe për të diskutuar mbi ekonominë, krizën e emigrantëve, sigurinë dhe masat e përballjes me këto probleme.

Takimit i parapriu një deklaratë e Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk që kërkon një ‘vështrim më realist të 1001 problemeve që ka unioni”.

“Bashkimi Europian duhet të bëjë një diagnozë reale mbi shkaqet që çuan në daljen e Britanisë së Madhe nga unioni dhe duhet të sigurojmë qytetarët tanë se kemi nxjerrë mesim nga ky vendim i britanikëve”, tha Tusk.

Ai bëri thirrje për më shumë unitet në adresimin e sfidave që po përballet sot BE, vendet e së cilës janë të përçara për masat për përballimin e fluksit të emigrantëve, sigurinë e kufijve dhe rigjallërimin e ekonomisë.

Samiti zhvillohet në Sllovaki, një prej vendeve të bllokut të qendrës dhe lindjes së Europës që kundërshton politikën e dyerve të hapura të Angela Merkel për refugjatët.

Për herë të parë në një samit do të flitet për një plan konkret për ngritjen e një force të përbashkët europiane, detyra kryesore e së cilës do të jetë ruajtja e kufijve të jashtëm të BE-së. Propozimi, që u njoftua tërthorazi edhe nga Jean-Claude Juncker ditën e mërkurë, mbështetet fuqimisht nga Gjermania dhe Franca.

Juncker kërkoi të mërkurën ngritjen e një shtabi të përbashkët ushtarak europian dhe forcim të bashkëpunimit në këtë fushë mes vendeve të BE-së.

Top Channel