Trump e pranon: Obama ka lindur në SHBA

16/09/2016 00:00

Zyrtarë të fushatës së Donald Trump pranuan përmes një komunikate se presidenti amerikan Barack Obama ka lindur në SHBA. Më herët, kandidati republikan ishte një prej liderëve të të ashtuquajturës Lëvizja e Lindjes që vinte në dyshim nënshtetësinë e Obama-s.

Por tashmë, fushata e Trump akuzoi Hillary Clinton që e sajoi këtë gënjeshtër gjatë garës për kandidaturën brenda Partisë Demokratike në vitin 2008.

Nuk ka asnjë provë që ta lidhë Clinton-in më këtë lëvizje dhe ish-Zonja e Parë në reagim ndaj deklaratës së Trump tha se pasardhësi i Obama-s nuk mund dhe nuk do të jetë njeriu që udhëhoqi lëvizjen raciste të lindjes.

Kjo lëvizje pretendonte se Obama kishte lindur në Kenia dhe jo në Hauai, diçka që e skualifikonte nga presidenca.

Raporte në media të ndryshme amerikanë thonë se kjo teori konspirative u nxit nga mbështetësit e Clinton në vitin 2008, kur u bë e qartë se ajo nuk e fitonte dot kandidaturën në garën me Obama-n.

Analistët mendojnë se deklarata e fushatës së Trump që pranon se Obama lindi në Hauai, nuk është pranim i gabimit, por përpjekje për të lënë fajin në derën e Clinton-it.

Sigurisht që këto fjalë nuk kanë dalë nga goja e Trump, por është deklarata më e qartë nga republikanët që pranojnë se Obama lindi në tokë amerikane. Ekspertët sugjerojnë se qëllimi mbase mund ët jetë afrimi i komunitetit me ngjyrë, ku sondazhet tregojnë se Trump nuk ka thuajse fare mbështetje.

Top Channel