SHBA, qëllohet për vdekje 13-vjeçari. Kishte pistoletë me ajër të kompresuar

15/09/2016 00:00

Një oficer policie, që po i përgjigjej një raportimi për një vjedhje me armë, qëlloi për vdekje një adoleshent 13-vjeçar, teksa pa se i riu kishte nxjerrë një armë zjarri nga rripi i mesit, e që më vonë kishte rezultuar të ishte një pistoletë me ajër të kompresuar, e cila dukej “praktikisht identike” me armët që përdoren nga vet policia.

Vrasja ndodhi rreth mesnatës së të mërkurës dhe të enjtes, në një rrugicë shumë pranë qendrës së Columbusit, pas një ndjekjeje të shkurtër me vrap.

Policia e Columbusit tha se oficerët po i përgjigjeshin një raporti për një vjedhje me armë, ku ishin përfshirë disa të dyshuar, ndërsa prej viktimës së kësaj vjedhjeje policia mësoi se një grup personash i ishin afruar dhe i kishin kërkuar parà. Personi që ra prè e grabitjes deklaroi se njëri prej hajdutëve kishte armë.

Duke kërkuar në zonën përreth, oficerët kishin gjetur 3 meshkuj të cilit i përafroheshin përshkrimit të hajdutëve, por dy prej tyre ishin larguar me vrap kur oficerët u përpoqën të bisedonin me ta. Oficerët nisën ndjekjen e tyre nëpër rrugica, me synimin për t’i kapur e për t’i çuar në rajonin policor, por njëri prej tyre kishte nxjerrë një pistoletë. Njëri prej oficerëve u kundërpërgjigj me armën e tij, duke goditur 13-vjeçarin disa herë.

I dyshuari në fjalë u identifikua më pas si Tyree King, i cili u dërgua në një spital për fëmijë, nga ku u mësua se kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Oficerët dhe hajduti tjetër nuk janë plagosur. Autoritetet identifikuan edhe oficerin që qëlloi ndaj Tyree, një polic i bardhë dhe veteran prej 9 vitesh në detyrë. Ata shtuan se nuk është ende e qartë nëse ngjarja është regjistruar nga ndonjë video. Megjithatë, oficeri është pezulluar nga detyra deri në hetimin e plotë të të shtënave.

Top Channel