Rumani, një ditë protestë dhe siguracionet ulen me 40 për qind

15/09/2016 00:00

Drejtuesit rumunë të kamionëve dhe organizmat rregullatore kanë arritur një marrëveshje këtë të enjte për të reduktuar normat e planifikuara të siguracioneve, të cilat sipas shoferëve do të kishin goditur ashpër industrinë e tyre. Për këtë mjaftoi vetëm një ditë protestash kombëtare.

Augustin Hagiu, një prej udhëheqësve të protestës së transportit, dhe Autoriteti Mbikëqyrës Financiar bënë të ditur se kanë rënë dakord ta mbajnë nivelin e siguracionit vjetor në 7.500 lei, apo 1.900 dollarë, me një reduktim prej më shumë se 40 për qind nga sa ishte planifikuar.

Qindra kamionë, taksi dhe automjete të tjera tregtare bllokuan sheshin më të madh të Bukureshtit, kryeqytetit rumun, në një protestë disaorëshe ndaj nivelit të lartë të siguracioneve për automjetet e tyre. Policia raportoi për bllokim të trafikut edhe nëpër qytete të tjera rumune, pasi shoferët e kamionëve lëviznin shumë ngadalë nëpër rrugë. Sipas protestuesve, normat e siguracionit do të ishin më të lartat nga të gjitha vendet e rajonit.

Rreth 400 protestues parkuan automjetet e tyre përreth zyrave qeveritare në “Sheshin e Fitores” në Bukuresht, duke bllokuar tërësisht trafikun e kryeqytetit. Ata u binin borive dhe thërrisnin me zë të lartë “Nuk do të largohemi!”.

“Normat janë tepër të larta dhe do të na sjellin neve probleme të mëdha sa i përket konkurrencës me vende të tjera, si Polonia”, tha Viorel Bosoi, pronar i një firme transporti që ka punuar prej 23 vitesh në këtë fushë biznesi. Ai tha për “Associated Press” se siguracionet e propozuara për kamionët e tonazhit të rëndë do të ishin rreth 9 herë më të larta sesa dy vite më parë.

Policia thirri përforcime për të ruajtur zyrat qeveritare, aty ku punojnë kryeministri i Rumanisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në një moment të protestës, drejtuesit e automjeteve u përpoqën të thyenin kordonin e policisë për të vendosur përpara Kryeministrisë një arkivol dhe kurora me lule, duke simbolizuar “vdekjen” e industrisë së transportit.

Qeveria, nga ana e saj, bëri të ditur gjatë ditës së sotme se nuk ishte detyra e saj të zgjidhte problemet mes drejtuesve të kamionëve dhe kompanive shtetërore të sigurimit, ndaj dhe u kishte kërkuar protestuesve t’i paraqisnin ankesat dhe kërkesat e tyre te agjencitë e duhura.

Kryeministri Dacian Ciolos lëshoi një dekret emergjent gjatë së mërkurës, me anë të të cilit ngriu përkohësisht normat e siguracioneve, por kjo nuk i pengoi protestuesit të bllokonin rrugët këtë të enjte.

Top Channel