Dalai Lama flet në PE: Mos i ndalni “kritikat konstruktive” ndaj Kinës

15/09/2016 00:00

Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama deklaroi këtë të enjte se Bashkimi Europian duhet të bëjë “kritikë konstruktive” ndaj Kinës.

Duke folur në Parlamentin Europian, në Strasburg, ai bëri bëri të njohur shpresën e tij që çështja tibetiane të mund të zgjidhet, por nxiti “botën e jashtme” dhe Bashkimin Europian, në veçanti, të mos tërhiqen nga kritikat ndaj Pekinit.

Trupat e vendit komunist marshuan dhe vunë nën kontroll Tibetin në vitin 1950, në atë që Pekini e quajti një “çlirim paqësor”.

Dalai Lama u largua drejt Indisë në vitin 1959, pas një kryengritjeje të dështuar kundër regjimit kinez.

“Sigurisht që janë të nevojshme dhe tepër ndihmuese kritikat konstruktive”, tha Dalai Lama për reporterët e pranishëm.

Pekini, nga ana e tij, e ka denoncuar udhëheqësin tibetian si një separatist të rrezikshëm, i cili kërkon pavarësinë e rajonit të Tibetit. Ai mohon të ketë përkrahur dhunën, ndërkohë që kërkon vetëm një autonomi të vërtetë për vendlindjen e tij në Himalaje.

Kontaktet mes Dalai Lamës dhe qeverive të huaja kanë qenë shpeshherë burime fërkimi mes tyre dhe Pekinit. Edhe pse i ftuar në selinë e PE-së në Strasburg, Dalai Lama nuk u takua me zyrtarë të qeverisë franceze teksa qëndronte në Francë.

Top Channel