Blushi: Pse votuan “Rilindjen” dibranët?

15/09/2016 00:00

Gjithnjë kritik ndaj Qeverisë, deputeti socialist Ben Blushi këtë të enjte u ndal tek vota e prodhuar nga zgjedhjet e së dielës për Bashkinë e Dibrës.

Ai tha se i ka shijuar dhe vazhdon t’i shijojë humbjet e Partisë Demokratike, që sot, sipas Blushit nuk motivon më dhe është e pavotueshme si forcë. Por Blushi shprehu habinë për fitoren e Muharem Ramës dhe nuk kurseu ironinë ndaj Qeverisë.

“Ajo që më çudit me Dibrën nuk është humbja e Partisë Demokratike, por fitorja e pamerituar e qeverisë. Edhe vetë rilindja, që foli sot gjithë ditën e ka të vështirë të shpjegojë se çfarë ndodhi në Dibër. Rilindja thotë që Dibra votoi reformat, votoi reformën në drejtësi, votoi përfundimin e Lungomares në Vlorë, votoi takimin e suksesshëm të Edi Ramës me Mogherinin në Bruksel”, tha ai.

Blushi ka një tjetër mendim se përse fitoi kandidati i maxhorancës në Bashkinë e Dibrës.

“Unë e kam një ide. Dibranët nuk kanë votuar për të djathtën, as për të majtën. Kanë votuar për Qeverinë. Dibra tregoi se prej kohësh diçka që nuk e fshehim dot më, që populli nuk do që të votojë kundër Qeverisë, kushdo qoftë ajo dhe do që ta ketë mirë me Qeverinë. Dibra sot është rajoni më i varfër në Europë, por varfëria i çoi në pajtim dhe frikë. Ata menduan se duke votuar kundër Qeverisë mund të humbnin edhe ato pak gjëra që kanë”, deklaroi deputeti socialist.

Top Channel