Ballkani, Vuçiç ëndërron një zonë të përbashkët të tregtisë së lirë

15/09/2016 00:00

Tensionet mes fqinjëve në rajonin e Ballkanit nuk mungojnë, por kryeministri serb mendon se ato mund të kapërcehen dhe në rajon të krijohet një zonë e përbashkët e tregtisë së lirë.

“Nuk kam frikë nga e ardhmja, nga pikëpamja ekonomike”, tha kryeministri serb për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.

“Ajo që na lipset të gjithëve është stabiliteti politik në rajon, e për këtë unë angazhohem plotësisht”, deklaron shefi i ekzekutivit serb, duke kujtuar se bashkëpunimi me fqinjët është i vështirë, pas “jo thjesht dekadash, por shekujsh të tërë urrejtjeje dhe lufte”.

Shpresa e tij, megjithatë, është ajo e krijimit të një zone të tregtisë së lirë. “Është ëndrra ime të kemi një union doganor me të gjitha shtetet e Ballkanit, të gjitha zonat, me të gjithë. Ashtu siç është ëndrra ime një tregti e përbashkët”, shprehet Vuçiç.

Sipas kryeministrit serb, kjo nuk do të nënkuptonte një ringjallje të Jugosllavisë, por një treg që do të favorizonte zhvillimin dhe mirëqenien në rajon. Vuçiç e ka theksuar se marrëdhëniet e vështira mes myslimanëve dhe serbëve të krishterë ortodoksë në rajon vazhdojnë të përbëjnë një problem.

Marrëdhëniet mes dy komuniteteve fetare brenda Bosnje-Hercegovinës, si dhe marrëdhëniet mes Sarajevës dhe Beogradit janë ende të tensionuara që nga koha e luftës së përgjakshme, ndërkohë që Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Top Channel