Basha: Avioni i rrëzuar, provë e funksionimit të Kartelit të Drogës

15/09/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me avionin e rrëzuar këtë të enjte në Ishëm, duke deklaruar se, “është prova e re që tregon se Karteli i Drogës punon çdo ditë, pa ndërprerje dhe në të gjitha rrugët”.

“Mohimi nga Rama i denoncimit që bëri në Parlament opozita është përpjekje për të fshehur ngjarjen, për të fshehur të vërtetën e trafikut ajror të drogës”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, “të gjitha të dhënat tregojnë se avioni është porositur pikërisht nga Karteli i Drogës në zonën e Krujës, për të marrë drogën e Bushit të Ramës, që ka mbuluar gjithë zonën deri 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit, “ku, siç kemi denoncuar me foto dhe fakte, janë mbjellë mbi 50 mijë rrënjë”, ka shtuar Basha.

Ai është shprehur më tej se ky është një realitet i hidhur. “Kjo është Shqipëria e zhytur në drogë dhe narkotrafik në të gjitha format. Ka ardhur koha që shqiptarët ta çlirojnë vendin nga sundimi i Kartelit të Drogës që shkatërron ekonominë, sjell krime dhe vret votën e lirë”, ka shtuar Basha.

Top Channel